balkaninsight.com

 

Kryetarja e Sarajevës dhe anëtarët e familjeve të viktimave kryesisht serbe të vrasjeve në gropën Kazani në 1992 dhe 1993, vendosën lule në vendin e ekzekutimit në malin Trebevic mbi kryeqytetin boshnjak.

Një përkujtimore për njerëzit e vrarë nga trupat e Ushtrisë Boshnjake gjatë viteve 1992 dhe 1993 në gropën Kazani mbi kryeqytetin Sarajevë u mbajt të mërkurën nga këshilltarët e qytetit dhe të afërmit e viktimave.

Kryetarja e Sarajevës, Benjamina Karic, e cila udhëhoqi delegacionin zyrtar që vizitoi vendin e masakrës, tha se ata donin të nderonin qytetarët e pafajshëm, kryesisht serbë të kryeqytetit.

“Është e rëndësishme që të luftojmë për të vërtetën, për drejtësinë dhe për të kujtuar të gjitha viktimat e pafajshme”, tha Karic.

“Ndiej keqardhje për familjet e të vrarëve dhe dua të them se Sarajeva, dhe unë si kryetare komune, nuk do t’i harrojmë kurrë vuajtjet dhe mundimet e tyre”, shtoi ajo..


Kryetarja e Sarajevës Benjamina Karic vendos lule në monumentin kushtuar viktimave të vrasjeve në gropën Kazani. Foto: Klix.ba

Eshtrat e 28 viktimave të luftës janë zhvarrosur nga gropa e Kazanit – dy ukrainas, dy kroatë, një boshnjak dhe dhjetë serbë. Numri përfundimtar i të vdekurve ende nuk është përcaktuar zyrtarisht.

Vitin e kaluar, Këshilli Bashkiak i Sarajevës votoi për ngritjen e një monumenti për viktimat e vrasjeve në Kazani, por hodhi poshtë një propozim nga partia Nasa Stranka për të vendosur emrin e vrasësve të tyre në mbishkrim.

Gjatë dhe menjëherë pas luftës, 14 anëtarë të Brigadës së Dhjetë Malore të Ushtrisë Boshnjake u dënuan për kryerjen e vrasjeve në Kazani dhe për moskallëzim të veprës penale dhe autorëve të saj.

Komandanti i brigadës, Musan Topaloviç, i njohur edhe si Caco, u vra në Sarajevë gjatë një përpjekjeje për ta arrestuar më 26 tetor 1993.

 

Azem Kurtić

9 Nëntor
17:45